fbpx

Bashkimi Ballkanik, sipas Aleksandër Vuçiqit dhe Edi Ramës nga Erl Kodra

Facebook
Shperndarje

Të dhënat kryesore të ekonomisë serbe janë thjeshtë të pakrahasueshme me ekonominë e Shqipërisë, madje janë të pakrahasueshme edhe me çdo ekonomi të rajonit. Një ekonomi që eksporton automobila, makineri dhe metale është diçka tjetër, krejt e ndryshme me eksportin e hashashit. Për më tepër kur nuk je në gjendje të konkurrosh as me bujqësi, pemëtari ose blegtori. Një ekonomi e mbështetur në betonizimin e vendit, kurrsesi nuk mund të konkurrojë ekonominë serbe.

Le të supozojmë për një moment sikur ne shqiptarët të mos kemi asnjë problem me Serbinë, historik, gjeografik ose politik. Shkurt, të bëjmë sikur Serbia është një vend normal, miqësor me shqiptarët në Kosovë, Serbi, Mal të Zi dhe në Maqedoni. Le të supozojmë sikur me Serbinë nuk kemi patur asnjëherë asnjë zënkë, kurrë, që prej shekullit të XI-të e deri më sot. A do ishte produktive dhe e këshillueshme ekonomikisht që ne t’i hapim derën mallrave dhe produkteve serbe, fushave të Vojvodinës dhe viçave me hormone? Çfarë do të ndodhte realisht? Ekonomia shqiptare do të kthehej në një konsumatore të produkteve serbe, ndërsa Porti i Durrësit do të ishte realizimi i ëndrrës serbe për detin.

Një hapje e tillë kufijsh për lëvizjen e lirë të mallrave, për një treg të përbashkët pra, nuk mund të bëhet pa rregulla. Në të vërtetë, negociatat me Bashkimin Evropian, që nuk dihet se kur do të fillojnë nëse do të fillojnë ndonjëherë, pikërisht këtë gjë bëjnë: rregullojnë me marrëveshje se çka do të lejohet të eksportosh, në çfarë sasie dhe në çfarë cilësie. Në rastin më të mirë, me rastin e një marrëveshje të tillë me Serbinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Bosnje-Hercegovinën, Shqipëria do të përfitojë… falimentin ekonomik dhe politik. Sepse, për fat të keq, nuk ekziston “rasti më i mirë”. Në të gjitha kuptimet, kjo hapje do të jetë fatale për ekonominë shqiptare, fatale edhe në planin politik, sepse do t’i ofroje armikut tënd bash hapësirën tënde ekonomike, portat për dalje në det dhe mbi të gjitha tregun e gjallë.

Në planin politik, Shqipëria do t’i ofronte Serbisë në tavolinë sigurinë kombëtare. Serbia është një vend që ka blerë sistemet ruse të mbrojtjes S-400, ka blerë aeroplanë ushtarakë rusë, ka blerë armë (raketa tokë-tokë) të afta që të godasin çdo vend të rajonit. Serbia zhvillon stërvitje të përbashkëta me ushtrinë ruse. Kompanitë ruse dhe kineze kërkojnë ekspansion në rajon, ato nuk mund të mjaftohen vetëm me Serbinë.

Në planin gjeopolitik dhe strategjik, ky është kapitullimi pa kushte para strategjisë serbe. Në këto rrethana, Serbia e nënkupton Kosovën si pjesë të saj, si diçka që i përket. Në logjikën e tij, Aleksandër Vuçiqi e ndjen se Kosova është pjesë e Serbisë, prandaj nuk ka rëndësi që ajo nuk është pjesë e tavolinës, sepse në emër të saj flet Aleksandri.

“Le të flasë Edi Rama ndonjë batutë patriotike, por ç’rëndësi ka? Kosova është pjesë e Kushtetutës së Serbisë. Me këtë lëvizje, Serbia përfiton shumë më tepër se sa Kosova”, mendon me vete Aleksandër Vuçiç.

Në Samitin e Durrësit do të marrë pjesë edhe Josep Borrell, përfaqësuesi spanjoll i politikës së jashtme të BE-së, një njeri i çuditshëm ky që vetëm pak kohë më parë deklaronte se “Kosova nuk mund të quhet e pavarur derisa nuk e njohin fuqi të tilla si Kina dhe Rusia”. Spanja, vendi i tij, akoma nuk e njeh Kosovën shtet të pavarur. Ky njeri do të bekojë Bashkimin Ballkanik. Në fakt, ky është termi i saktë politik i nismës Vuçiq-Rama. Treg i përbashkët, lëvizje e lirë e mallrave, treg i lirë pune. Në thelb, ky është edhe Bashkimi Evropian.

Edi Rama është njeri i çuditshëm dhe plot guxim të çartur. Të gjithë kemi thënë se ai nuk e ka të gjatë, kjo sidomos pas çdo skandali që e ka shoqëruar qeverisjen e tij që prej 2013-tës e deri më sot. Ditë pas dite, hap pas hapi, ai ka shkelur çdo parim të shtetit të së drejtës, ka mbushur Parlamentin dhe qeverinë me hajdutë dhe kriminelë, kontraktoi buxhetin e shtetit për një grup individësh, kriminalizoi shoqërinë dhe, së fundi, po ia del për bukuri të jetësojë çdo iniciativë që ia diktojnë rrethanat e mbijetesës. Kështu Edi Rama është kthyer në rrezikun numër një për Sigurinë Kombëtare.

Lajmi paraprak

Idiotët dhe shtypi i përgjegjshëm nga Umberto Eco

Lajmi tjetër

Çfarë kanë të përbashkët, Mini - Shengeni Ballkanik dhe Memorandumi II i Akademisë serbe nga Agim Zogaj

MË TË FUNDIT