Albulena Haxhiu: Jam në banesë, nuk shkoj në gjykatë

Facebook
Shperndarje

Derisa Policia e Kosovës po e kërkon deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj të cilit Gjykata Themelore e Prishtinës ka lëshuar urdhër që të sillet me detyrim në seancën e sotme, deputetja tjetër e VV-së, Albulena Haxhiu, që duhet të paraqitet për të njëjtin rast, është në banesën e saj.

Ajo konfirmoi për Periskopin se nuk e ka ndërmend të paraqitet në Gjykatë, përkundër se ishte paraqitur disa herë për këtë rast.

Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli janë thirrur që të paraqiten në gjykim për hedhje të gazit në Kuvendin e Kosovës.

Haxhiu tha se nuk do të shkojë më në këtë Gjykatë për shkak se këtë rast e udhëheq i njëjti gjykatës (Beqir Kalludra), i cili ka dënuar katër aktivistët e VV-së për sulmin ndaj Kuvendi të Kosovës, dënim të cilin VV-ja e konsideron politik.

“Unë pata shku se mendova se duhet me u ballafaqu me ta. Por më nuk do të shkojmë. Është gjykatësi i njëjtë që ka dënuar aktivistët tanë”, tha Haxhiu për Periskopin.

Haxhiu nuk e mohoi që mund të dërgohet me dhunë nga Policia në Gjykatë, por tha se VV-ja është mësuar tashmë me këtë gjë. Ajo tha se VV-ja nuk do t’i nënshtrohet gjykatësit Kalludra.

“Ne tashmë jemi mësuar me këto veprime që kanë qëllim persekutimin e VV-së. Nuk do t’i nënshtrohemi një sistemi të kapur siç është ky shtetëror. Ky sistem vepron nën urdhrat e Klanit Pronto”, tha ajo.

Ndërsa, e pyetur se a ka informacione për vendndodhjen e Albin Kurtit, ajo tha se nuk ka, por sugjeroi se mund të jetë në banesë ose në ambientin e tij të punës, sikurse Donika Kadaj-Bujupi e Faton Topalli.

“Nuk kam asnjë informacion, besoj që secili prej tyre është në ambientet e punës, në shtëpitë e tyre, në Vetëvendosje në Kuvend. Ne asnjëherë nuk do t’i nënshtrohemi kësaj gjykate, e sidomos jo gjyqtarit Kalludra”, tha Haxhiu.

Lajmi paraprak

Pala mbrojtëse e Limajt: Nuk janë vjedhur 80 centë, e lëre më 80 milionë euro

Lajmi tjetër

Lideri i opozitës serbe: S’e njoh Tribunalin e Hagës, Mlladiqi është hero

MË TË FUNDIT