fbpx

Adem Jashari

Facebook
Shperndarje

Adem Jashari, u lind më 28 nëntor 1955 në Prekaz, Drenicë, komuna e Skënderajt. Ishte djali i tretë i Shaban Jasharit dhe Zahide Jasharit. Ka mbaruar shkollën e mesme teknike në Skënderaj. I ati, Shabani pas Luftës së Dytë Botërore kishte punuar mësues në fshatra të Drenicës, por kishte rënë në sy si njeri i papërshtatshëm për pushtuesin serb. Tradita atdhetare në familjen Jashari ishte kultivuar në çdo kohë dhe nga të gjithë brezat.

Adem Jashari merr pjesë aktivisht në demonstratat e viti 1981. Rezistenca bashkëfshatarëve të tij Tahir e Nebih Meha kundër forcave policore jugosllave, la mbresa të thella në shpirtin dhe vendosmërinë e Shaban, Hamëz e Adem Jasharit, të cilët morën pjesë në aktin e varrimit të dy dëshmorëve. Të tre Jasharët u betuan para trupit të rënëve, gjegjësisht para trupit të Tahir Mehës: “Luftën që nise ti, do ta vazhdojmë ne, deri në pikën e fundit të gjakut.”

Adem Jashari që në fillim të viteve të tetëdhjeta ishte anëtar i organizatave patrotike të kohës, dhe kishte shpërndarë trakte, përmes të cilave kërkohej mobilizim i popullit për çlirim. Ky grup përbëhej nga Adem Jashari, Ilaz Kodra, Jakup Nura, Sahit Jashari, Hashim Thaçi, Sami Lushtaku, Fadil Kodra etj. Adem Jashari do të shquhet në protestat e fuqishme popullore që u bënë në Skënderaj më 1989, në kohën kur u shfuqizua kushtetuta e Kosovës e vitit 1974.

Në vitin 1989, u bë shkrirja e disa grupeve patriotike të ndryshme atdhetare brenda e jashtë Kosovës në Lëvizjen Popullore të Kosovës. Veprimtarët e LPK-së do të bëhen prijatar të lëvizjes gjithpopullore dhe të asaj për pajtimin e gjaqeve.

Pas shuarjes së të gjitha institucioneve të Kosovës më 1990, ideja për t’u organizuar në aspektin ushtarak merr një dimension të ri, nga LPK-ja, e cila ende nuk vepronte krejtësisht publikisht. Me 3 nëntor të vitit 1991, në Shqipëri shkoi një grup veprimtarësh për t’i kryer ushtrimet e duhura ushtarake dhe për t’u stërvitur për luftën e armatosur. Në këtë grup bënin pjesë Adem Jashari, i cili i printe grupit, Ilaz Kodra, Sahit Jashari, Fadil Kodra dhe Murat Jashari. Pas përfundimit të stërvitjes, ky grup kthehet në Drenicë më 7 dhjetor 1991, i pajisur me armatim. Ky grup kishte për detyrë t’i zgjerojë radhët.

Shërbimet sekrete serbe i bien në gjurmë formacionit të armatosur dhe policia serbe ia mësyn rrethimit dhe kapjes së tij. Më 30 dhjetor 1991 ekspedita policore – ushtarake serbe ndërmori aksion për zënien e grupit. Por, këta veprimtarë nuk ishin armatosur dhe nuk kishin stërvitur për t’u dorëzuar, siç shprehej vetë Adem Jashari.

Adem Jashari, vëllai i tij që kishte qëlluar në pushime, Rifati, Hamëz Jashari, Fadil Kodra, Ilaz Kodra dhe Sahit Jashari, vendosin që të luftojnë dhe ta çajnë rrethimin me çdo kusht. Pavarësisht se policia kishte angazhuar numër të madh njerëzish, madje edhe teknikë të rëndë, autoblinda dhe helikopterë, pas rezistencës së grupit, nuk arrin t’i mposhtë luftëtarët. Kjo ngjarje bëri jehonë të madhe. Nga shumë anë të Drenicës, atë ditë dhe atë mbrëmje kishin lëvizur njerëz që ishin të gatshëm për t’iu bashkangjitur rezistencës së Prekazit. Pas kësaj përleshjeje me forcat e policisë serbe, tërë grupi i Adem Jasharit kalon në ilegalietet, deri në fillimet e luftës çlirimtare në Kosovë.

Adem Jashari ka kryer shumë aksione të armatosura mbi forcat policore serbe. Në vitin 1990, kur nga policia e Kosovës u përjashtuan policët shqiptarë, Adem Jashari kryen një aksion të armatosur mbi stacionin e policisë në Skënderaj, me ç’rast plagos një polic serb. Aksione të tjera në të cilat objekt sulmi janë patrullat serbe dhe stacionet e policisë, që merr pjesë vetë Adem Jashari me të tjerët janë edhe ato në Mitrovicë, tek Ura e Gjakut, në Shipol, në Runik, në Drenas etj. Kurse me urdhrin e tij janë bërë aksione të armatosura në Shtime, Prizren, Klinë etj. Vija e veprimit të këtij formacioni të armatosur është mbajtur në relacionin Kosovë, Maqedoni dhe Shqipëri, që nga vitet 1990. Për dallim nga disa grupe të tjera që kishin ushtruar po ashtu në poligonet ushtarake të Shqipërisë, i vetmi formacion (bërthama) i Adem Jasharit nuk ishte shpërbërë. Një grup veprimtarësh nga Deçani arrestohet, kurse grupet tjera nuk janë të zëshme.

Në muajin prill (5 prill) 1993, në shtëpinë e Adem Jasharit është mbajtur një takim i rëndësishëm. Përveç pjesëtarëve të formacionit të armatosur të Adem Jasharit, në këtë takim kishte edhe veprimtarë politikë. Në këtë takim vendoset që të zgjerohet formacioni ushtarak. Pikërisht në këtë takim Adem Jashari propozon që aksionet që kryheshin në Kosovë, të bëhen në emër të “Ushtrisë së Kosovës”. Në këtë takim vendoset që Komandant i Ushtrisë së Kosovës, të emërohet Adem Jashari. Sulmet mbi forcat policore serbe tashmë kanë një koordinim. Nga koordinimi, zgjerimi dhe strukturimi i grupeve të armatosura krijohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës (1993).

Nga gjykata e Qarkut e Prishtinës, në mungesë, më 1997 shqiptohet dënimi me burg njëzet vjet për Adem Jasharin, Ilaz Kodrën, Sahit Jasharin, Fadil Kodrën, Jakup Nurën, Zenun Kodrën dhe Rexhep Selimin, ndërsa me 10 vjet “dënohet” Hashim Thaçi.

Njësiti luftarak i Prekazit, identifikohet me emrin e Adem Jasharit, në saje të cilësive të larta strategjike, luftarake, në saje të karakterit dhe tipareve të tij ushtarake. Të gjithë njerëzit e interesuar që përmes kryengritjes së armatosur ta zgjidhin problemin e Kosovës ishin të interesuar të kontaktonin personalisht me Adem Jasharin, i cili tashmë, vite e vite qëndronte në Kosovë, në baza të shumta. Bërthama e tij luftarake, struktura e tij e armatosur ishte e gatshme për t’u rritur dhe për t’u zgjeruar.

Intensifikimi i aksioneve të armatosura të UÇK-së fillon me sulmin e shtatorit 1997 në 12 stacionet policore. Nga aksionet e armatosura kundër forcave policore që kryente UÇK-ja, pas shtimit të dhunës sistematike të forcave serbe nëpër Kosovë, kalohet në një fazë tjetër, të ndeshjes së drejtpërdrejtë me forcat serbe, pra në beteja, në fundin e nëntorit 1997, kur në Rezallë të Re luftohet me forcat e shumta të policisë serbe. Në këtë betejë i ndërpritet rruga kolonës së armatosur rëndë të forcave serbe, që kishin mësyrë një sulm në fshatin Vojnik, ku një ditë më parë, patrullat e maskuara të policisë serbe ishin gjuajtur me armë zjarri nga njëri prej luftëtarëve të hershëm të UÇK-së, Abedin Rexha – Sandokani. Në këtë betejë printe Adem Jashari dhe luftëtarë të tjerë si Mujë Krasniqi, Rexhep Selimi, Sylejman Selimi, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti etj. Kjo është beteja e parë dhe fitorja e njësitit të UÇK-së. Kjo betejë bëri jehonë të madhe në opinionin publik.

Më 28 nëntor 1997, në varrimin e mësuesit Halit Geci nga Llausha, i vrarë nga forcat serbe që tërhiqeshin pas dështimit dy ditë më parë, UÇK-ja doli hapur në skenën politike dhe ushtarake të Kosovës. Dalja në skenë hapur e UÇK-së bëri që forcat serbe të sigurisë të mos ndjenin siguri në zonën e Drenicës. Ato filluan barrikadimin në punkte të caktuara me përforcime të veçanta. Por, aq sa fuqizohej dhe përhapej struktura e UÇK-së në terren, aq edhe përforcimet serbe shtoheshin. Provokimet dhe tentim sulmet e policisë serbe nuk pushuan.

Policia serbe, me njësitet e saj speciale organizoi një sulm mbi shtëpinë e Jasharëve më 22 janar 1998. Sulmi nisi në orët e hershme të mëngjesit, ishte i rrufeshëm, por hasi në rezistencën dhe gatishmërinë e madhe të familjes Jashari, e cila ishte e përgatitur dhe gjithnjë kujdestaronte ditë e natë. Njësia speciale e komandosëve serbë tërhiqet pas gjysmë ore, sepse anëtarët e familjes Jashari që ishin brenda shtëpisë u kundërpërgjigjën me zjarr. Ishte ky sulmi i dytë i forcave serbe mbi shtëpinë e Adem Jasharit. Në këtë përleshje plagosen dy vajza të reja të Jasharëve.

Njësitet e UÇK-së fillojnë një fazë të re veprimi në territorin e Drenicës. Në Likoshan, më 28 mars 1998 ndodh një përleshje midis njësitit të UÇK-së dhe tri patrullave serbe. Në këtë përleshje pësojnë katër policë serbë. Në shenjë hakmarrjeje policia speciale serbe bëri masakër në Likoshan dhe Çirez mbi civilët e pafajshëm.

Policia serbe kishte shenjuar që moti shtëpinë e Jasharëve. Më 5 mars 1998, që në orët e hershme, forca të mëdha të policisë serbe kishin mësyrë Prekazin. Një pikë zjarri, e stacionuar që herët në lokacionin e fabrikës së municionit, që ishte në afërsi të shtëpisë së Jasharëve, ishte përforcuar me mjete të rënda artilerike. Përforcimet e forcave serbe kishin ardhur edhe nga drejtimi i Klinës, Mitrovicës dhe Gllogovcit. Sulmi mbi Jasharët nis rreth orës gjashtë të mëngjesit. Në shtëpi ndodheshin pothujase tërë anëtarët e familjes. Sulmi mbi Jasharët dhe qëndresa heroike e tyre zgjat tri ditë: më 5, 6 dhe 7 mars 1998.

Kjo luftë heroike, në historinë e re të Kosovës njihet me emrin Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për figurën e Adem Jasharit kanë shfaqur mendime edhe personalitete të rëndësishme. Administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner ka deklaruar se po të kishte Çmim Nobël për sakrificë për liri, ai do t’i takonte Adem Jasharit dhe familjes së tij.

Me vendim të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Adem Jashari është nderuar me titullin Hero i Kosovës.

// neogazeta.com

Lajmi paraprak

Ibrahim Rugova

Lajmi tjetër

Fehmi Agani

MË TË FUNDIT

Hamza Kastrioti

Hamza Kastrioti ishte një fisnik shqiptar i shekullit të 15-të. Ai ishte

Zognush Pasha

Origjina e tij është ende e panjohur mire,por shumica e studiuesve e

Balsha II

Balsha II lindi me 18 shtator 1385 në Myzeqe,ai ishte një princ prej familjes fisnike